Secondary Adv

Mbi 11 mijë fermerë aplikojnë brenda javës për Skemën Kombëtare me fond 52 mln euro

Interes i lartë për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026 vetëm pak ditë pas hapjes së aplikimeve.

Vetëm një javë pas nisjes së procesit të aplikimit, 11.720 fermerë kanë paraqitur kërkesat për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026. Shifra është konfirmuar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ndërsa fondi total i vënë në dispozicion nga qeveria arrin në 5.2 miliardë lekë, ose rreth 52 milionë euro.

 

Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 26 qershor dhe ritmi i lartë i ditëve të para sugjeron se numri i përfituesve potencialë mund të jetë ndër më të lartët e viteve të fundit. Interesi i fermerëve vjen në një moment kur sektori po përballet me sfida të shumta, nga rritja e kostove të prodhimit deri te mungesa e fuqisë punëtore dhe problemet klimatike.

 

Heqja e naftës, ndryshimi më i debatueshëm

Skema e këtij viti sjell disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitet e mëparshme. Më i diskutuari është heqja e subvencionimit të naftës si masë e veçantë mbështetëse, një përfitim nga i cili kanë përfituar për vite me radhë mijëra fermerë.

 

Ky ndryshim konsiderohet i ndjeshëm për sektorin, pasi karburanti mbetet një nga kostot kryesore të mekanizimit bujqësor. Në skemat e mëparshme, një pjesë e madhe e aplikimeve lidhej pikërisht me mbështetjen për naftën, ndaj mungesa e saj po shihet si një nga risitë me ndikimin më të madh në perceptimin e fermerëve për programin e ri.

 

Lehtësohen kriteret dhe shtohen subvencionet

Një nga objektivat e skemës është zgjerimi i bazës së përfituesve. Për këtë arsye janë ulur pragjet për fermat e gjedhit, deleve dhe dhive, është shtuar mbështetja për fermat e derrave dhe janë rritur fondet për bletarinë, sektorë që prej vitesh përballen me rënie të aktivitetit dhe rritje të kostove.

 

Një risi tjetër është subvencionimi i sipërfaqeve të mbjella me 10 mijë lekë për hektar për fermerët që disponojnë të paktën tre hektarë tokë të kultivuar. Masa synon të nxisë përdorimin e tokës bujqësore dhe formalizimin e aktivitetit, megjithëse zbatimi i saj mund të hasë vështirësi për shkak të problematikave të dokumentacionit të pronësisë në zonat rurale.

 

25 milionë euro për investime në ferma

Pjesa më e madhe e fondit, rreth 25 milionë euro, është dedikuar për investime në sektorin bujqësor. Financimet do të mbulojnë mekanizimin, pajisjet bujqësore, modernizimin e fermave dhe investime të tjera prodhuese.

 

Megjithatë, kufiri maksimal i mbështetjes për mekanizimin, deri në 500 mijë lekë, kufizon financimin e mjeteve më të kushtueshme si traktorët, duke e orientuar ndihmën drejt pajisjeve ndihmëse dhe makinerive më të lehta.

 

Skema ruan gjithashtu mbështetjen për fermat organike, certifikimin Global GAP dhe përdorimin e metodave biologjike në sera, masa që synojnë rritjen e standardeve të prodhimit dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave europiane.

 

Sfida mbetet kthimi i fondeve në investime reale

Pavarësisht interesit të lartë, sektori bujqësor vazhdon të përballet me sfida të shumta. Ngricat e pranverës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pemëtari gjatë këtij viti, ndërsa shumë kultura vijojnë të përballen me rritjen e kostove dhe mungesën e fuqisë punëtore.

 

Për këtë arsye, suksesi i skemës nuk do të matet vetëm me numrin e aplikimeve, por me aftësinë për t’i kthyer fondet në investime konkrete dhe mbështetje efektive për fermerët. Interesi i javës së parë tregon se kërkesa për financim ekziston, ndërsa sfida kryesore mbetet shpërndarja e drejtë e fondeve dhe garantimi që buxheti prej 52 milionë eurosh të arrijë tek fermerët që kanë më shumë nevojë.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat